Organizata zvicerane që mbron të drejtat e refugjatëve “Flüchtlingshilfe” (SFH) u ka apeluar autoriteteve të Zvicrës që të mos i kthejnë më në Hungari refugjatët që dëbohen nga Zvicra. Në këtë mënyrë organizata në fjalë ka reaguar ndaj vendimit të Parlamentit të Hungarisë për izolimin e refugjatëve, shkruan srf.ch
Siç është raportuar dje, Parlamenti Hungarez ka votuar të martën me një shumicë dërmuese për internimin e refugjatëve. Ata do të mbahen në “zona transiti” që duhet të jenë në afërsi të kufijve, prej nga nuk do të mund të dalin derisa të përfundojë procedura e tyre e azilit.
SFH kërkon po ashtu që Zvicra të vendosë në lidhje me kërkesat për azil të refugjatëve të cilët në Zvicër kanë ardhur përmes Hungarisë, transmeton albinfo.ch. Ndërsa dihet se Marrëveshja e Dublinit parasheh që vendi i parë, nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, në të cilin refugjati ka bërë kërkesën, duhet të jetë edhe përgjegjës për të vendosur për ose kundër strehimit të tij. Për këtë arsye Zvicra i kthen refugjatët në “vendet e para”.
Sipas SFH Zvicra gjatë vitit të kaluar ka kthyer në Hungari 65 azilkërkues ndërsa në vitin 2015, 94 sish.