Më shumë se 40 mijë serbë të Kosovës kanë marrë dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës, duke e pranuar shtetin e pavarur. Këto shifra i ka publikuar portali IO, marrë nga të gjitha qendrat e Kosovës e që janë konfirmuar edhe nga zyra për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme.Sipas MPB-së, deri në muajin e kaluar 43 mijë e 637 serbë të Republikës së Kosovës kanë aplikuar për tu pajisur me letërnjoftim, ndërsa janë 2 mijë e 124 serbë të cilët kanë parashtruar kërkesën për t’u pajisur me Pasaporta të RKS-së.
“Duhet të theksojmë që gati çdo vit është duke u shtuar interesimi nga qytetarët e nacionalitetit serb për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës dhe nga viti në vit vërehet një shtim i kërkesave për t’u pajisur me dokumente”,kanë thënë për IO zyrtarë të MPB-së.Ky numër është shtuar kohën e fundit, pasi që institucionet e Kosovës aplikuan masën ndëshkuese për veturat me targa të vjetra të ish Jugosllavisë. Serbët që kanë lëvizur me këto targa kanë qenë të detyruar që automjetet e tyre t’i regjistrojnë në KS ose RKS. Ndërsa regjistrimi ka qenë i pamundur pa letërnjoftim të Republikës së Kosovës.Përmes kësaj praktike, Prishtina zyrtare i ka obliguar në një mënyrë të gjitha serbët që jetojnë në Kosovë, që të pajisen me dokumente të Kosovës, e ne këtë mënyrë të bëhen edhe taksapagues të këtij shteti, që nuk njihet nga Serbia.