Në Gjykatën Themelore në Gjakovë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj. Në këtë seancë, për të cilën Limaj akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile, ka dëshmuar deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi, i cili ka folur lidhur me komunikatën e lëshuar atë kohë nga Drejtoria e Policisë Ushtarake e UÇK-së, e cila merrte përgjegjësinë për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
“Duke e lexuar këtu para jush, mund të konfirmoj se më 30 tetor 1998, data e cila përmendet në këtë komunikatë, e ku është gazeta “Zëri i Kosovës” e datës 5 nëntor 1998, në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake”, ka thënë Selimi. Ai ka thënë se ai nuk ka pasur informacione për vrasjen e Selman Binishi dhe Ramiz Hoxhës.
Në aktakuzën e ngritur ndaj Limajt, prokuroria pretendon se ai kishte përgjegjësi komanduese, kur në territorin e tij u vranë civilët Ramiz Hoxha e Selman Binishi, më 2 tetor 1998, e autorët nuk dihen.