Sektori i patundshmërive është një ndër bizneset më profitabile në botë, por në Kosovë, po ballafaqohet me vështirësi të natyrave të ndryshme, e posaçërisht theksohet vonesa në marrjen e lejeve nga komunat.
Ndërtuesit thonë se burokracia për pajisje të lejeve të ndërtimit, po e vështirëson zhvillimin e këtij biznesi.
“Kemi probleme edhe zhagitje prej Komunës. Realisht ishte dashur për të marrë leje brenda 3-4 muaj, kurse kemi raste që marrja e lejes vonohet deri në dy vjet”, thonë ata.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Muhamet Gashi, pranon se ka pasur vështirësi vitin e kaluar, mirëpo që nga fillimi i këtij viti, çdo gjë ka ndryshuar.
“Konstatimet e bizneseve në disa raste qëndrojnë, por në numrin më të madh të rasteve nuk qëndrojnë. Këtë vit, muajt e fundit, numri i lejeve është disa-fishuar në krahasim me vitin e kaluar, kështu që gjatë këtij viti shpresojmë se nëse palët i përgatisin dokumentet me kohë nuk do të ketë vonesa në dhënien e lejeve”, i ka thënë ai Radio Kosovës.
Sipas raportit të Bankës Botërore të publikuar vitin e kaluar, një ndër vështirësitë kryesore për të bërë biznes në Kosovë, ka qenë stërzgjatja kohore për pajisje me leje të ndërtimit. /albinfo&rtk/