Punonjësit në sektorin e kujdesit shëndetësor në Zvicër raportojnë nivelin më të lartë të kënaqësisë në punë, por njëkohësisht përballen me sfida serioze në balancimin e jetës profesionale me atë private.
Sipas një studimi të institutit Sotomo, rreth 8 në 10 punonjës në këtë sektor e konsiderojnë punën e tyre domethënëse dhe me vlerë, duke e renditur kujdesin shëndetësor në krye të profesioneve për kënaqësi në punë, transmeton albinfo.ch.
Ndjenja e përmbushjes dhe krenarisë është veçanërisht e lartë tek infermierët dhe profesionet mjekësore, ku pothuajse gjysma e të anketuarve deklarojnë se ndihen shumë krenarë për punën që bëjnë.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet mungesa e balancës mes punës dhe jetës private. Sipas studimit, kushtet strukturore në sektor nuk janë gjithmonë të favorshme, dhe shumë punonjës theksojnë se oraret e ngarkuara dhe kërkesat e larta lënë pak hapësirë për jetën personale.
Për punonjësit, përveç kuptimit të punës, faktorë të rëndësishëm janë edhe balanca jetë–punë (47%), detyrat e larmishme (44%) dhe mundësia për të kontribuar pozitivisht në shoqëri (38%), ndërsa paga renditet vetëm në vendin e katërt për nga rëndësia.