Ende nuk është bërë i ditur numri i refugjatëve dhe identiteti i tyre.
Refugjatët kanë bërë përpjekje që të lundrojnë nga vendpushimi turk Dikili për në ishullin grek Lesbos.
Trupat e 24 viktimave janë gjetur në bregun e zonës Ayvalik, tha për Reuters një nga zyrtarët e rojës bregdetare turke. Dhjetë viktima të tjera megjithatë u gjetën në plazhe, në Dikili.
Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, të identifikuarit besohet të jenë nga Iraku, Algjeria dhe Siria.
Rojat bregdetare turke kanë shpëtuar nëntë persona, të cilët arriten pavarësisht stuhive të rënda.
Ata ishin të shtruar në një spital shtetëror në Ayvalik.
Refugjatët, kryesisht sirianë, nëpërmjet rrugëve detare të rrezikshme kërkojnë strehim në vendet e pasura perëndimore në Evropë, me gjithë motin e ftohtë. Numri i tyre ka arritur shifrën në më shumë se një milion njerëz, pothuajse pesë herë më shumë se vitin paraprak.
Rreth 850.000 njerëz vitin e kaluar mbërritën në Greqi, duke paguar trafikantët mijëra euro që të kalojnë nga Turqia. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), të paktën 700 persona, kryesisht nga Siria dhe Iraku kanë humbur jetën ose janë zhdukur duke u përpjekur të kalojnë detin Egje.