Sekretarja e Përgjithshme e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (ShEVJ), Helga Schmid, sot në një takim ka thënë se Kosova ka edhe dy kushte për liberalizimin e vizave, shkruan albinfo.ch.
“Ne e dimë se sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për Kosovën. Por Kosova ka kushte, ato që tashmë janë të ditura, siç janë luftimi u korrupsionit e krimit të organizuar dhe demarkacioni”, tha ajo.
Zyrtarja e lartë evropiane ka përgëzuar Kosovën për zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur këtë një hap shumë të rëndësishëm drejt funksionalizimit të sistemit gjyqësor.
Këto komente ajo i bëri pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri tha se Kosova është e vendosur në përmbushjen e detyrave që ka marrë.