Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës të mërkurën ka mbajtur një takim me të gjithë kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe kryetarin e SUSHK-ut.
Në këtë takim thuhet se në mënyrë unanime është kërkuar që të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues i SBASHK-ut që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen as të shtunave, as gjatë pushimit pranveror e as në fund vitit.
“Gjatë raportimit nga kryetarët e sindikatave komunale u vërejt se një numër i komunave përmes drejtorëve të arsimit dhe drejtorëve të shkollave janë duke u bërë presion mësimdhënësve, por edhe nxënësve në forma të shantazheve për t’i detyruar që të mbahet mësimi ditëve të vikendit (të shtunave)”.
SBASHK kërkon nga kryetarët e komunave dhe drejtoritë e arsimit që të mos bëjnë presion te mësimdhënësit për mbajtjen e orëve gjatë ditës së shtunë, sepse ata kështu, sipas tyre, po shkelin kontratën e punës që e kanë lidhur vetë komunat me punëtorët e arsimit që thotë se mësimdhënësit duhet t’i mbajnë 20 orë në javë.