Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbështetur deklaratën për terminologjinë e përdorur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, për të ardhmen e Ukrainës në aleancë.
“Jemi dakord për gjuhën që ju propozuat në lidhje me të ardhmen e Ukrainës në NATO”, tha presidenti amerikan, shkruan Radio Evropa e Lirë, përkundër që nuk është e qartë se për çfarë terminologjie specifike bëhet fjalë.
Megjithatë, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do të propozojë që procedura e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë të thjeshtësohet, përcjell albinfo.ch.
Stoltenberg bëri me dije se do të kërkojë prej aleatëve që t’i mundësojnë asaj kapërcimin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte “absurde” nëse Ukrainës nuk i jepet një afat kohor, shkruan REL.
Ukraina kërkon të bëhet pjesë e NATO-s, por përderisa lufta vazhdon, e ardhmja e kësaj ambicieje nuk është e qartë.