Nioni është qytet në kantonin Vaud të Zvicrës, me një shtrirje gjeografike shumë të favorshme; buzë liqenit Leman e në mes qyteteve Gjenevë e Lozanë.
Në qytetin e Nionit janë selitë e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit – FIBA, të Bashkimit të Shoqatave Evropiane të Futbollit – UEFA dhe të shumë përfaqësive të firmave të ndryshme mjekësore.
Në këtë qytet prania e shqiptarëve daton që nga vitet 60.
Komuniteti shqiptar i Nionit ka kohë që paraqitet si faktor e si partner në shumë fusha të jetës në shoqërinë e këtushme. Me organizmin e mirëfilltë të komunitetit para, gjatë e pas luftës është krijuar tani tradita e vazhdimësisë dhe vlerësimit të punës.
Ky organizim nuk do të ekzistonte po të mos ishte bashkëpunimi me strukturat e ndryshme komunale, duke filluar nga jeta politike, ku kemi një prani të këshilltarëve komunalë shqiptarë si anëtarë të partive të ndryshme zvicerane e deri te jeta shoqërore me praninë e shoqatave të ndryshme shqiptare të cilat aktivitetet e tyre i shtrijnë si në aspektin social, ekonomik, kulturor, sportiv e humanitar.
E kur flasim për angazhimin politik të komunitetit tonë nuk mundemi të mos përmendim Sadik Krasniqin, i cili ka tre mandate që është i zgjedhur si këshilltar komunal në Nyon.
Tani, z. Sadik Krasniqi, anëtar i Partisë Socialiste paraqitet si kandidat për zgjedhjet kantonale të kantonit Vaud.
Sadik Krasniqi mbështet angazhimin e vetë politik duke dëshiruar të shohë rezultate në përparimin e të drejtave për shkollim pa dallim gjinie, etnie, për përkujdesje për të moshuarit, integrimin sa më të mirë të migrantëve , mbrojtjen e vlerave të solidaritetit dhe të humanizmit të shtetit zviceran.
Po kush është Sadik Krasniqi ?
Erdhi në Zvicër vitin 1988. Në vitin 1990/91 i bashkëngjitet LDK-së në fillim si sekretar i nëndegës të Nyonit e më vonë ishte kryetar mbi 10 vite. Gjithashtu Krasniqi udhëhoqi shkollën shqipe (LAPSH) dhe në periudhën sa z. Krasniqi ishte kryetar i kësaj shkolle shpallet nga kryesia e LAPSH-it në Zvicër si shkolla më e organizuar në Zvicër.
Rezultatet e arritura me shkollën shqipe në Nion mundësojnë edhe me marrjen e përkrahjes financiare nga komuna dhe kantoni për projektin e realizuar nën udhëheqjen e Zotëri Krasniqit.
Duke parë aktivitetin dhe organizimin e komunitetit shqiptar (dhe jo vetëm shqiptar) disa parti politike i propozojnë z. Krasniqi që të kandidojë në listat e tyre për zgjedhjet komunale të vitit 2006. Ai përcaktohet për PS edhe zgjidhet këshilltar komunal në Nyon nga radhët e PS. Aktualisht është këshilltar komunal në Nyon në mandatin e tretë .
Zotëri Krasniqi fton komunitetin shqiptar të marrë pjesë masivisht në zgjedhje dhe të kontribuojë me votën e vet që komuniteti shqiptar të ketë të zgjedhurin e vet në parlamentin e kantonit Vaud.
Motoja e Sadik Krasniqit për këto zgjedhje është : “Vota juaj është zëri juaj. Mos heshtni”. Përdoreni të drejtën tuaj”.