Varësisht nga rrethanat, studentët në Prishtinë për një muaj shpenzojnë nga 129 deri në 220 euro, përcjell albinfo.ch.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) së fundmi ka publikuar gjetjet e hulumtimit “Shporta e studentit”. Sipas të gjeturave, studentët që udhëtojnë çdo ditë për të studiuar në UP shpenzojnë mesatarisht 129 euro në muaj, ata që banojnë me qira shpenzojnë 220 euro/muaj, ata që banojnë në konvikte 140 euro/muaj, ndërsa ata që banojnë në Prishtinë shpenzojnë 139 euro në muaj.
Po ashtu, studentët shpenzojnë edhe për literaturë e materiale që nuk gjenden nëpër bibliotekat e fakulteteve. Sipas të gjeturave të këtij hulumtimi, studentët që shpenzojnë më së shumti për materiale shpenzuese gjatë një semestri janë ata nga Fakulteti i Arteve me 133 euro, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës me 122 euro si dhe ata nga Fakulteti i Shkencave Sportive 105 euro.
ORCA po ashtu i ka cilësuar shqetësuese rastet e raportuara nga disa studentë, sipas të cilëve “profesorët shesin librat ku janë vetë autorë, ndërkaq një pjesë e tyre blerjen e librit të vet e kanë bërë të detyrueshme për studentët”.
Kësisoj, ORCA ka bërë thirrje që të ndalohet kjo veprimtari.