Në vitin 2017 nuk kishte as Kampionat Botëror dhe as Evropian, por kjo nuk e ka penguar industrinë e basteve dhe lojërave të fatit që të vijojë rritjen me ritme të shpejta, teksa numri i pikave sa vjen e po shtohet.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për loto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë, përcjell albinfo.ch.
Ironikisht, që prej vitit 2013, kur qeveria nisi me bujë aksionin për të luftuar këtë fenomen, të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit, marrëzia vetëm është shtuar dhe industria ka shënuar rritje dy shifrore vit pas viti.
Në 2016-n, zgjerimi ishte 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që ajo do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale.
Këto janë vetëm shpenzimet zyrtare, teksa nuk llogaritet informaliteti që vlerësohet i lartë në këtë sektor.
Biznesi më i madh është tek kazinotë. Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj.
Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo evropiane, i ndikuar nga shtipi i pikave nëpër qendrat e qyteteve.
Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5 milionë euro.
Shpenzimet për frymë të shqiptarëve për kazino, loto, bingo etj kanë arritur në 46 euro në vitin 2017.