Për herë të parë që nga botimi i anketës, aftësia në gjuhën angleze e Zvicrës ra në krahasim me një vit më parë (-1.54 pikë, nga vendi i 15-të më 2018), deklaroi EF, një kompani private e arsimit dhe aftësimit të gjuhës, përcjell albinfo.ch.
Vendet nordike përsëri dominuan në renditjen e gjuhës angleze: Holanda u rendit e para, pasuar nga Suedia, Norvegjia dhe Danimarka.
Arabia Saudite, Kirgistani dhe Libia zunë pjesën e poshtme të renditjes.
Zvicra mbetet në grupin e vendeve me aftësi “të larta” në gjuhën angleze, por EF vërejti një rënie të vogël në të gjitha rajonet e gjuhës gjermane. Qytetet ndërkombëtare, si Gjeneva dhe Cyrihu, nuk ishin përjashtim. Lozana ishte vendi i vetëm që tregonte përparim, përcjell tutje albinfo.ch.
“Sistemi arsimor zviceran është përparimtar kur bëhet fjalë për mësimin e anglishtes, por ende nuk ka një theks të fortë praktik”, tha drejtori i EF Zvicrës, Christopher Hein.
“Duhet të bëhen përpjekje për të siguruar që hendeku midis Zvicrës dhe vendeve të larta të mos thellohet”.
Ndërkohë, vendet e mëdha, si Spanja dhe Italia, janë renditur edhe më poshtë, 35, përkatësisht 36.
Shqipëria renditet në vendin e 50-të, apo ndër vendet që më pak e dinë gjuhën angleze në Evropë. Kosova nuk figuron në listë, edhe pse është shtet i pavarur.