Fotografi shqiptar nga Zvicra Ruzhdi Ibrahimi është renditur ndër më të mirët në konkursin tematik ndërkombëtar “35AWARDS – Jeta e Egër: Grabitqarët”, duke u nominuar zyrtarisht për çmimin Fotografi më i Mirë i Konkursit.
Dy prej fotografive të tij janë përzgjedhur ndër dhjetë fotografitë më të mira, sipas rezultateve të votimit kryesor.
Konkursi, i cili konsiderohet një nga platformat më të mëdha botërore të fotografisë, këtë vit ka regjistruar pjesëmarrjen e 1’276 autorëve nga 92 vende dhe 605 qytete, me gjithsej 4’821 fotografi. Për herë të parë, Ruzhdi Ibrahimi ka marrë pjesë në këtë garë duke përfaqësuar Kosovën, konkretisht qytetin e Gjilanit, duke e vendosur atë në hartën ndërkombëtare të fotografisë së jetës së egër, shkruan albinfo.ch
Nominimi i tij përbën një arritje domethënëse për fotografinë e natyrës në Kosovë, duke reflektuar nivel të lartë profesional, standard etik në dokumentimin e botës së egër dhe angazhim të vazhdueshëm në promovimin e biodiversitetit përmes artit vizual.
Rezultatet zyrtare të konkursit janë publikuar në platformën e “35AWARDS”:
https://35awards.com/page/contests/num/957/
