Rusia është përgjigjur me të njëjtën monedhë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
60 diplomatë amerikanë janë shpallur ‘non grata’ si dhe është urdhëruar mbyllja e konsullatës amerikane në Shën Peterburg.
Më herët ishin Shtetet e Bashkuara që dëbuan 60 rusë. Ndërsa pritet që Moska të përgjigjet edhe ndaj vendeve të tjera evropiane që dëbuan diplomatët e saj, mes tyre është edhe Shqipëria, përcjell albinfo.ch.
Njoftimin e dha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka theksuar se Rusia do të dëbojë të njëjtin numër diplomatësh si Shtetet e Bashkuara dhe shtoi se masat e reagimit “do të jenë simetrike dhe madje edhe më shumë”.
Gjithashtu ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka njoftuar se Moska do të dëbojë numrin e njëjtë të diplomatëve nga kombet që kanë larguar nga shtetet e tyre diplomatë rusë, pas helmimit të ish-spiunit rus në Britani.
Më shumë se 20 vende kanë dëbuar përfaqësues të inteligjencës ruse, pasi Britania e Madhe akuzoi haptazi Moskën për përfshirje në helmimin me agjent nervor të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në 4 mars.
Fushatës ju bashkua edhe Shqipëria, e cila pasi thirri ambasadorin rus në Tiranë urdhëroi largimin nga Shqipëria të dy diplomatëve, sekretarin e parë dhe atasheut ushtarak.
Ambasadori reagoi pas këtij vendimi dhe kërkoi shpjegime se pse ishin bërë publikë emrat e diplomateve të dëbuar.