Boksieri nga Zhegra e Gjilanit i cili jeton dhe vepron në Zvicër, Erzen Rrustemi nuk harron asnjëherë vendlindjen e tij dhe është i lidhur ngushtë me Kosovën, shkruan albinfo.ch.
Ai së fundi u shpall kampion i botës në versionin WBF, derisa ka ardhur në Kosovë, ku fillimisht është pritur në Gjilan, e më pas ka vizituar edhe disa vende tjera të rëndësishme.
Ai ka vizituar shoqatën “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, duke iu dhënë përkrahje për të afërmit që iu janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Sot, gjatë takimit me Nënat gjakovare, që s’rreshtin duke i kërkuar të pagjeturit, u binda se, pa i takuar ato, pa i dëgjuar ato, pa e pjesëtuar dhimbjen me to, nuk e kupton e as nuk e çmon lirinë dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë Rrustemi në “Facebook”.
Ai më parë u nderua nga Veteranët e UÇK-së. “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Gjilani, në një pritje të organizuar enkas për mua më nderoi me mirënjohje. Ishte një takim mbresëlënës me luftëtarët e Lirisë.
Do të ndihesha i lumtur nëse sadopak mund të kemi bërë diçka për afrimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Emblemës së saj”, ka njoftuar boksieri shqiptar.