Një çift të moshuarish humbën jetën nga një rrjedhje gazi në banesë. Ngjarja ndodhi në fshatin Gjergjan të Elbasanit, pas mesnate.
Viktimat, 65-vjeçari Shyqyri L. dhe 61-vjeçarja Sabire L. ishin vetëm në banesë, në momentin e tragjedisë, përcjell albinfo.ch.
Sipas policisë, dyshohet se kryefamiljari ka hapur bombolën e gazit, e më pas i ka vendosur flakën. Si pasojë kanë marrë flakë disa orendi shtëpiake. Bashkëshortët dyshohet se kanë ndërruar jetë nga asfiksia, transmeton tch.
Nipi i tyre ka konstatuar zjarrin dhe ka shkuar menjëherë në banesë, duke u futur nga dritarja, por ka qenë tepër vonë për dy të moshuarit.
Fqinjët nga ana e tyre shprehen se familja Shyqo njihej si një çift i respektuar dhe me sjellje të mirë.
“Nuk na besohet. Ne i njohim për njerëz të mirë ata. E përcjellim me shumë dhimbje. Nuk dyshojmë për asnjë gjë, përveç të mirave.
Nusja e tij ka qenë e sëmurë, kishte një 1 vit e gjysmë apo 2 vite. Ai i shërbente vet. Madje kohët e fundit i mori edhe një njeri që i kryente shërbimet”, u shpreh njëri nga fqinjët.
Dyshimet janë që përveç një problem shëndetësor të gruas së tij, dy bashkëshortët kishin probleme edhe me femijët që jetonin jashtë vendit.
Njoftimi i Policisë
“Në fshatin Gjergjan, Elbasan, në banesë janë konstatuar pa shenja jete nga një i afërm i tyre shtetasit: V. Liçi, 65 vjeç, dhe bashkëshortja e tij shtetasja S. Liçi, 61 vjeçe. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ku nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi V. Liçi ka hapur bombolën e gazit e më pas i ka vendosur flakën. Si pasojë kanë marrë flakë disa orendi shtëpiake si dhe dyshohet nga asfiksia kanë ndërruar jetë bashkëshortët. Nipi i tyre ka konstatuar zjarrin dhe ka shkuar menjëherë në banesë duke u futur nga dritarja por çifti kishte ndërruar jetë”.