Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Transportit (ZFT), në vitin 2024 në Zvicër janë regjistruar 105 pasagjerë të lënduar rëndë në aksidente me tramvaje dhe autobusë, numri më i lartë në pesë vitet e fundit. Gjithashtu, 39 persona kanë humbur jetën në aksidente që përfshijnë transportin publik.
Shumica e aksidenteve ndodhin për shkak të gabimeve të përdoruesve të tjerë të rrugës, si këmbësorë, çiklistë dhe shoferë, të cilët shpesh shkelin rregullat e qarkullimit. Nga 39 viktimat, 34 ishin persona të tretë, jo pasagjerë apo punonjës të transportit, transmeton albinfo.ch.
Zyra Federale e Transportit po analizon shkaqet dhe po mbështet fushata për rritjen e sigurisë në transportin publik, me fokus në ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës dhe përmirësimin e masave parandaluese.
Në krahasim ndërkombëtar, Zvicra renditet ndër vendet më të sigurta në hekurudha, por ka ende sfida në sigurinë në kantieret e punës së transportit hekurudhor.