Katër persona kanë humbur jetën të shtunën në mëngjes, gjatë rrëzimit të një avioni të vogël, në një pyll në Hergiswil (NW). Bëhet fjalë për dy prindërit dhe dy fëmijët e tyre të vegjël.
Familja kishte fluturuar nga aeroporti Kägiswil (OW) në drejtim të Francës, menjëherë pas orës 09.30, kanë deklaruar nga Policia Kantonale në Nidwalden, përcjell Albinfo.ch.
Operacioni i pastrimit të viktimave dhe avionëve është ende në vazhdim, ka thënë më tej zëdhënësi i policisë. Si pasojë e aksidentit, zonën përreth e ka përfshirë zjarri.
Një helikopter është dashuri ta shuajë zjarrin, në mënyrë që forcat e ndërhyrjes të mund të shkonin në vend. Avioni u dogj plotësisht, duke e komplikuar identifikimin e viktimave.
Tashmë është hapur një hetim nga Prokuroria Publike, në bashkëpunim me organet tjera përkatëse, për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë.
Për shkak të aksidentit, evenimenti “OldtimAIR Flugparade”, i planifikuar për të shtunën pasdite në Stanserhorn, është prolonguar. Parada e avionëve do të zhvillohet më 15 shtator, kanë shkruar organizatorët në faqen e tyre të internetit.