Mbi shumë se 300 pjesëmarrës nga rreth 50 shtete të botës po marrin pjesë në Konferencën Ndërfetare që po mbahet në Prishtinë, ku do të debatohet për “Rolin e gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”. Në këtë konferencë, po marrin pjesë edhe edhe Nobelistët e paqes, Shirin Ebadi dhe Tawakkol Karman.
Konferenca do të zgjatë 3 ditë, ndërsa pjesëmarrës janë edhe shumë zyrtarë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Siç raporton “Lajmi.net”, në këtë konferencë sivjet pjesëmarrjen kanë konfirmuar edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda e Nigeria.
Konferenca, e cila sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe është e organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, “Tony Blair Faith Foundation”, ndërsa mbështetës janë Ministria e Punëve të Jashtme, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze, si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca Interfaith Kosovo sivjet do të ndajë edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar, që sivjet sipas informacioneve, do ta marrin Kryetari i Londrës, Sadik Khan, si dhe Monsignor Vincenzo Paglia.