Në ambientet prestigjioze të London School of Economics (LSE) u promovua libri i autores shqiptare Vjosa Musliu, një vepër që sjell një rrëfim personal dhe emocional mbi përvojën e një vajze gjatë luftës në Kosovë dhe periudhës së pasçlirimit në vitin 1999, transmeton albinfo.ch.
Libri trajton temat e kujtesës, traumës dhe rindërtimit të jetës pas luftës, duke ofruar reflektime të thella mbi kuptimin e lirisë dhe forcën njerëzore përballë vuajtjeve. Përmes një gjuhe të ndjeshme dhe rrëfimi të sinqertë, autorja ndërthur përvojën personale me kujtesën kolektive të një gjenerate që u rrit mes dhimbjes dhe shpresës.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, i cili përgëzoi autoren për krijimin e një vepre me rëndësi të veçantë kulturore e shoqërore.
“Ky libër na kujton rëndësinë e kujtesës, të rrëfimit autentik dhe të forcës njerëzore për të rindërtuar jetën pas traumës,” — u shpreh ambasadori Kapiti gjatë fjalës së tij në promovim.
Promovimi i librit në një nga universitetet më të njohura në botë, si LSE, vlerësohet si një arritje domethënëse për autoren dhe një kontribut i çmuar në promovimin e përvojave shqiptare në arenën akademike ndërkombëtare. /Albinfo.ch