Pronarë të kompanisë së autobusëve “Dritoni” kanë sulmuar fizikisht drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Naser Korça.
Ata kanë kundërshtuar shtimin edhe të një linje të autobusëve në linjën Zhegër -Gjilan, ku edhe operojnë tash e 15 vjet.
Policia thotë se për këtë rast ka arrestuar 4 persona të dyshuar. Ndërsa drejtuesit e kompanisë kanë thënë se nuk kishin qëllim pë ta sulmuar drejtorin por kanë thënë se janë detyruar pasi ai është sjellë keq.
E Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar sulmin ndaj drejtorit të Shërbimeve Publike, Naser Korça, në zyrën e tij.
Haziri ka vlerësuar se sulmi fizik dhe presioni në administratë është i papranueshëm dhe se sundimi i ligjit është mjeti i vetëm i punës së administratës komunale.
Kryetari Haziri ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin rastin deri në fund, duke u lutur që sulme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.