Në një takim të organeve rregullatore të vendeve të rajonit janë pajtuar në Beograd që tarifat e reja të telefonisë mobile të hyjnë në fuqi nga mesi i verës, dhe jo që në fillim të 2015-ës, siç është njoftuar më parë.
Nga vera e ardhshme thirrjet dhe dërgimi i mesazheve në roaming do të jetë 50 për qind më i lirë dhe kostoja e shërbimeve të internetit do të jetë nëntë herë më e ulët se ajo aktuale.
Ulja e çmimeve për shërbimet roaming është bërë në bazë të marrëveshjes të shtatorit të nënshkruar në Budvë nga Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, duke përdorur shembullin e BE-së.
Qytetarët e Bashkimit Evropian që nga 1 korriku paguajnë çmime 50 për qind më të ulëta në roaming, si një hap i parë drejt heqjes së plotë të tarifës, e cila është planifikuar për në fund të 2015-ës.