Pas sulmit kibernetik që ndodhi kohë më parë, janë kthyer 1224 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, dhe tani mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë, raporton Albinfo.ch.
Kështu ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSH), e cila ka thënë se është bërë i mundur rikuperimi i të gjitha shërbimeve online që mundëson kjo platformë përveç shërbimit të njehsimit të diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja, për të cilin po punohet për ta rikthyer.
“Janë në funksion të plotë shërbimet e vërtetimit të pagesës së aftësisë së kufizuar; kryerja e pagesave të ujit për UKT Tiranë; Aplikimet për Leje ndërtimi (e-Lejet), vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe përdorimit te burimeve ujore. Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimin e fundit të mbetur: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja”, ka njoftuar AKSH./Albinfo.ch