Rezoluta në fjalë ishte paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës me mbështetjen e gjitha grupeve parlamentare përveç atij të “Vetëvendosjes”.
Rezolutën e paraqiti shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, me të cilën njihen përparimet që ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë Kosova që nga shpallja pavarësisë dhe mirëpret vendimin e grupit drejtues ndërkombëtarë për të synuar përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012 .
Rezoluta shpreh përkushtimin ndaj përmbushjes së gjitha obligimeve që kontribuojnë në përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke pasur parasysh parimet kyçe të propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit, si dhe Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Përmes kësaj rezolute shprehet përkushtim i plotë për kalimin me kohë të gjitha amendamenteve Kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshme për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur.
Kryeministri Hashim Thaçi, ka theksuar se akti i miratimit të kësaj rezolute përfaqëson konsensusin politik dhe etnik të vendit. Ai theksoi se që nga sot fillon një fazë e re për Kosovën evropiane.
Rezolutën e përkrahën gjitha grupet parlamentare, përveç atij të “Vetëvendosjes” deputetët e së cilës paraqiten një draftrezolutë të veten në të cilën thuhet se gjitha ndryshimet Kushtetuese duhet të ndodhin përmes referendumit.
Shefi i Grupit parlamentare Visar Ymeri, ka deklaruar se “Vetëvendosje” e përkrahë përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, por nuk përkrahë kufizimet që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit.
Mirëpo, kryeparlamentari Krasniqi e bëri të qartë se në bazë të rregullores së Kuvendit, deputetët votojnë vetëm për rezolutën e paraqitur nga Grupi Parlamentarë të Partisë Demokratike me mbështetjen e grupeve tjera.
Miratimi i rezolutës për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë bëhet disa ditë pasi subjektet politike parlamentare, përveç “Vetëvendosjes”, nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës zotoheshin për përmbushjen e të gjitha obligimeve ne procesin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë./albinfo&rtk/