Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se në rast që partia e saj vendos për përjashtim, atëherë ajo do ta ushtrojë detyrën e deputetes si e pavarur.
Po ashtu, Reshitaj ishte deputetja e vetme e AAK-së që mori pjesë në seancën për votimin e presidentit, pavarësisht se lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, kishte thënë se nuk do të marrin pjesë në seancë.
“Mendoj që është një moment historik, meqë për herë të dytë u zgjedh një presidente grua. Mund ta them me shumë bindje për herë të parë në histori të vendit kemi lënë jashtë ndikimin e Beogradit. Unë jam pjesë e AAK-së. Nëse më përjashtojnë, do të jem kandidate e pavarur, por nuk e besoj që do të ndodhë kjo. Ky ka qenë vendimi im”, u shpreh Reshitaj.
Nga ana tjetër, Daut Haradinaj ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se nuk ka informacioni lidhur me këtë përveç nëse e njëjta është vetëpërjashtuar.
“S’kam info, vetëm nëse është vetëpërjashtu”, tha shkurt ai.
Albena Reshitaj ndryshe pati deklaruar se kjo s’ka të bëjë asgjë kundër partisë, por që e njëjta ka dashur që të mos jetë Lista Serbe që të vendosë lidhur me fatin e Kosovës dhe kësisoj ka vendosur që të jetë e pranishme në seancën e Parlamentit të Kosovës.