Numri i të papunëve në shtetet e Eurozonës ka shënuar një rënie të vogël gjatë muajit qershor. Sipas byrosë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë muajit në fjalë janë regjistruar 19.27 milionë të papunë, që është për 24000 më pak se në muajin maj.
Me këto shifra, shkalla e papunësisë në këtë zonë është 12.1 për qind.
Gjatë kësaj periudhe, ka qenë veçanërisht e lartë shkalla e papunësisë në vendet e eurozonës në Evropë e jugut dhe në mesin e të rinjve. Kështu, sipas Eurostat, në Greqi shkalla e papunësisë së të rinjve është 59 për qind ndërsa në Spanjë, 56 për qind.
Mesatarja e shkallës së papunësisë për të gjitha vendet e BE-së të marra së bashku, gjatë qershorit ka qenë 10.9 për qind ndërsa numri i të papunëve, 26.4 milionë.