Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, dikur bashkë-partiake e Ramush Haradinajt, i ka kërkuar dorëheqjen kryeministrit të Kosovës.
Sipas saj, duhet që kombit tonë t’i hapen rrugët dhe të dalë nga izolimi i krijuar nga udhëheqës të papërgjegjshëm për gati dy dekada.
“Dështimi i qeverisjes së vendit në mënyrë koherente me SHBA-në në fazën në të cilën gjendet vendi ynë është dëm i madh dhe çdokush që ka pjekuri shtet-formuese dhe ndjenja patriotike do të duhej të largohej nga skena politike, për t’iu dhënë rast njerëzve të rinj e ide të reja”, ka shkruar deputetja e VV-së në rrjetet sociale, përcjell albinfo.ch.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se refuzimi i vizave është vetëm një hap drejt izolimit të udhëheqësve të Kosovës.
“Bota nuk funksionon me logjikën e veprimit si në “bahçe të babës”. Ka edhe masa të tjera që mund të merren nëse kjo udhëheqësi nuk zmbrapset. Izolimi i plotë i Kosovës ende nuk ka filluar, ku çmimin më të madh do ta paguanin qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Deda.
E, Arbana Xharra, këshilltare e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, duke komentuar refuzimin e vizës për Ramush Haradinajn, ka thënë se kjo është shenjë e izolimit të vendit.
Ajo ka thënë se krejt kjo po ndodh pasi udhëheqja e Kosovës ia ka kthyer shpinën Amerikës.