Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë për vendimin e shpalljes së referendumit, që u miratua nga deputetët e Kuvendit të Maqedonisë më 30 korrik të këtij viti.
Për refuzimin e iniciativës votuan shtatë gjykatës kushtetues, ndërsa për pranimin e iniciativës ishin dy gjykatës Elena Gosheva dhe Josif Josifovski, raporton “TV 21”.
Iniciativë për anulimin e vendimit për referendum dorëzuan disa parti politike dhe organizata qytetare, të cilat thonin se referendumi është shpallur në mënyrë jokushtetuese.
Më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, përcjell albinfo.ch.
Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.
Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.