Edhe pse kishte bërë vaksinimin e plotë vetëm disa javë më parë një shqiptar 50 vjeçar i Kosovës me qëndrim në Bavari, u sëmur nga korona. Atij ju desh të kurohej në njësinë e kujdesit intensiv, shkruan pnp.de. Bëhet fjalë për një rast të pazakontë, thonë mjekët.
Xhavit Ismajli kishte shijuar pushimet e tij në Kosovë, vendlindjen e tij – të paktën në ditët e para. Atëherë 50-vjeçari nga Landau an der Isar vuri re se nuk mund të nuhaste më asgjë, transmeton albinfo.ch. “Papritur më filloi të më dhimbte i gjithë trupi. Kisha dhembje në gjymtyrë”, kujton ai. Shenjat tipike këto të infeksionit me koronavirus.
Pastaj ai u nis për në shtëpi (Gjermani) dhe ju desh të shkonte në njësinë e kujdesit intensiv. Kjo po ndodhte përkundër faktit se Ismajli tashmë ishte vaksinuar plotësisht. Pas kthimit të tij në Gjermani, gjendja e tij vazhdoi të përkeqësohej. Gruaja e tij mori vendimin e duhur: ajo e çoi burrin e saj në spital, në Donau-Isar-Klinikum në Deggendorf, shkruan Passauer Neue Presse (PNP).
Diagnoza që mori atje ishte: Varianti delta i koronavirusit. Ai vuante nga pneumonia. Kjo ishte një tronditje për 50-vjeçarin që ishte vaksinuar vetëm disa javë më parë. Ismajlit i ishte dhënë vaksina nga Johnson & Johnson – sipas ekspertëve, një dozë e vetme vaksine është e mjaftueshme që ky përbërës aktiv nga Britania e Madhe të ofrojë mbrojtje të plotë nga vaksinimi.
Është e mundur të veprojë virusi pavarësisht vaksinimit por rreziku i sëmundjes minimizohet ndjeshëm përmes mbrojtjes nga vaksina. Efektet e sëmundjes gjithashtu zvogëlohen. Siç raporton Instituti Robert Koch, Ismajli është një nga 0.03 për qind e më shumë se 50 milionë njerëzve të vaksinuar në Gjermani të cilët megjithatë ishin infektuar me virusin, deri më 1 shtator.
Një rrjedhë kaq e rëndë e sëmundjes siç është përvoja e Ismajlit është edhe më e rrallë: ai ishte në njësinë e kujdesit intensiv të klinikës për një javë. Nganjëherë atij i ishte dashur të ventilohej me oksigjen.
“Nuk e kisha menduar se do të më godiste aq keq pa pasur ndonjë sëmundje të mëparshme,” thotë Ismajli përgazetën.
Pas shtatë ditësh në njësinë e kujdesit intensiv, ai u lejua të kthehej në shtëpi ku filloi karantinën. Gjendja e tij është përmirësuar, thotë ai vetë. Megjithatë, ai ende ka vështirësi në frymëmarrje dhe e përcjell një kollë e vazhdueshme. Kur flet gjatë, ai ka nevojë për pushime të rregullta për t’u çlodhur.
Xhavit Ismajli u bën thirrje njerëzve se për mbrojtje nuk mjafton të mbështetemi vetëm në vaksinimin, përcjell albinfo.ch. Në jetën e përditshme, edhe njerëzit që gëzojnë mbrojtje të plotë nga vaksinimi duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’u përmbahen rregullave të mirënjohura AHA. Megjithatë, ai e relativizon rastin e tij: “Nuk e di se çfarë do të bëhej me mua po të mos isha vaksinuar”.