Kosovë – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zyrtarizuar emërimin e Besianë Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës në pozitën e nënkryetares së komunës, pavarësisht deklarimeve paraprake të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) se nuk ekziston asnjë marrëveshje politike me PDK-në për bashkëqeverisje në kryeqytet, përcjell albinfo.ch.
Në një postim në Facebook, Rama ka bërë të ditur nisjen e një “bashkëpunimi të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës”, me synim, siç ka thënë ai, zhvillimin e Prishtinës dhe realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve.
“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, ka shkruar Rama, duke njoftuar gjithashtu emërimin e Musmurati si nënkryetare të kryeqytetit.
Ai ka theksuar se ajo sjell përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, LDK, nga e cila Rama kishte dalë si fitues i zgjedhjeve lokale në Prishtinë, ka mohuar më herët ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje me PDK-në për bashkëqeverisje në kryeqytet./Albinfo.ch