Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se gjatë muajit shtator ky park u vizitua nga rreth 10 mijë vizitorë, ku rreth 3 mijë ishin të huaj.
“Në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar ka gati një dyfishim të numrit të turistëve. Në shtator 2020 parku u vizitua nga 5379 vizitorë vendas e të huaj”, shton Dhima, transmeton Albinfo.ch.

Sipas Dhimës, turistët e huaj janë kryesisht ukrainas, spanjollë, italianë, francezë, gjermanë, nga grupe turistike.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.
Arkeologjia e këtij qyteti antik evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit.