“Të nderuar bashkatdhetarë! Lufta e fundit për lirinë e Kosovës, mobilizoi diasporën anembanë për ti dalë krah vëllezërve e motrave në atdheun tonë, tokës që kishte nevojë të merrte frymë pa pushtuesin serb. Mijëra djem e vajza nga diaspora ju përgjigjen kësaj thirrje.
Një pjesë e madhe e atyre që shkuan për të luftuar për Lirinë e Kosovës, nuk u kthyen më në luksin e Zvicrës po u bënë gur atdheu”. Kështu fillon një shkresë që QKK në Cyrih u drejton bashkatdhetarëve duke i njoftuar ata për një projekt dhe duke kërkuar njëkohësisht ndihmën e tyre.
“Në nderim dhe kujtim të dëshmorëve, Qendra Kulturore fton të gjithë bashkatdhetarët që të ofrojnë të dhëna, foto dhe legjenda përshkruese për familjarët, shokët apo dikë nga rrethi i tyre, që nga Zvicra shkuan dhe u flijuan për Lirinë.
Këto të dhëna mund t`i dërgoni pranë Qendrës Kulturore në email; Shukrije.ramadani @gmail.com ose telefon 0041/0/765640138.
Ekpozita që do të hapet në fund të Korrikut në Qendrën Kulturore, do të bartet në të gjitha shtetet ku ka shqiptarë për të grumbulluar të dhënat e çdo luftëtari mbrojtës dhe në fund do të vendoset në Muzeun e Kosovë. Ata na e dhuruan jetën, ne mund t`ua dhurojmë përjetësinë duke i kujtuar!”, përfundon shkresa e nënshkruar nga Shukrije Ramadani-u.d. Drejtoreshë e Qendrës Kulturore në Zvicër.