Aplikimet e shumta të ushtarëve të FSK-së për të ikur nga Kosova i ka konfirmuar për Albanian Post edhe një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
“Gjithmonë ka pasur aplikime të shumta”, ka thënë burimi, i cili e ka pranuar që ky numër i lartë është shqetësim i ngritur prej kohësh brenda ministrisë.
“Shqetësuese ka qenë gjithmonë. Ka djem që e kanë përfunduar masterin e janë ushtarë”, prej atyre që duan të largohen nga Kosova.
Për numrin e madh të ushtarakëve të FSK-së që duan të largohen merret vesh se edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, e ka njoftuar ministrin e Mbrojtes, Armend Mehaj.
Duke pasur si shqetësim këtë largim të ushtarëve të FSK-së, burimi brenda ministrisë ka thënë se po “merren hapa për t’ua rritur pagat dhe nuk do të ketë ushtarë nën 500 euro pagë”. Mësohet se kjo ishte edhe arsyeja përse Ministria e Mbrojtës do ta bëjë edhe një analizë për të parë moralin e ushtarëve të FSK-së.
Zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes nuk janë përgjigjur rreth kësaj çështjeje.