Banka Botërore ka publikuar një raport, në të cilin thuhet se ka rëndie të vendeve të punës në Kosovë.
Qeveria e Kosovës pas këtij raporti ka reaguar, duke thënë se është i pavërtetë dhe i pabazë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se raporti i publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pavërtetë dhe i pabazuar. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018 për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Në reagimin e Qeverisë së Kosovës përmendet edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ishte përfshirë në këtë debat.
“Nuk na befason paraqitja e përfaqësuesit të BB-së me këto shifra, por jemi befasuar me gatishmërinë e kryetarit të LDK, z. Isa Mustafa, me profesion ekonomist, Profesor Universitar dhe akademik, për shfrytëzimin e këtij informacioni pa një analizë profesionale e kritike ashtu siç mendojmë se i takon. E kuptojmë nevojën e kritikës së opozitës për Qeverinë, por jo me çfarëdo mjeti dhe nga çfarëdo niveli”, thuhet tutje në reagim.
Sipas qeverisë: “Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga ASK lidhur me punësimin dhe strukturën e aktivitetit ekonomik të popullsisë, numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017.Ecuritë makroekonomike në Kosovë në vitin 2018 ishin si vijon: norma e rritjes/shtimit/ekonomik 4.2%, investimet publike, rritje 13,1%, remitencat 6,0%, punësimi në sektorin publik 5,2%, investimet në sektorin privat 6,4%”.
Sipas qeverisë, raporti i Bankës Botërore nuk qartëson se me çfarë konstatimi kanë raportuar se janë humbur 17 mijë vende të punës.