“Kabineti qeveritar me mbi 100 ministra dhe zëvendës të tyre, ka realizuar 57% të planit të punës në gjashtë mujorin e 2018”, kështu thuhet në raportin e publikuar statistikor të Lëvizjes FOL.
Raporti është bazuar në monitorimin dhe zbatimin e Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-qershor të vitit 2018.
“Të gjeturat nga monitorimi i 22 institucioneve tregojnë se nga 225 aktivitete sa kanë qenë të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-qershor 2018, vetëm 130 apo shprehur në përqindje 57% janë realizuar, ndërkaq 95 aktivitete apo 41% kanë mbetur të papërfunduara në afatin e përcaktuar kohor. Ndërkaq, për katër aktivitete të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk kemi marrë përgjigje. Ministritë të cilat i kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës se Qeverisë janë: Ministria e Financave, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, ndërkaq ministritë të cilat nuk kanë realizuar asnjë aktivitet janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftim.
Në këtë raport tregohet se Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka përfunduar 12 aktivitete nga 15 sa kishte paraparë në planin Vjetor të punës.