Ministrja e drejtësisë, Simometta Sommaruga është shprehur e gëzuar përgjigjen negative që populli i ka dhënë iniciativës “Ecopop” në referendumin e mbajtur të dielën. Por, ajo ka thënë gjithashtu se k yrezultat nuk ka ndonjë efekt në zbatimin e iniciativës kundër migracionit masiv, të votuar më 9 shkurt të këtij viti, bën të ditur transmetuesi publik i Zvicrës, srf.
Siç dihet, qeveria është angazhuar ngjatë gjithë kohës dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër iniciativës.
Po ashtu edhe Bashkimi Evropian ka shfaqur kënaqësinë me rezultatin e referendumit, gjegjësisht me hedhjen poshtë të iniciativës Ecopop. BE në këtë rezultat e sheh të vërtetuar qëndrimin e vet sipas të cilit kufizimi i lëvizjes së lirë dëmton ekonominë.
Votimi i një shumice të qartë kundër iniciativës Ecopop ka ndodhur si shenjë refuzimi kundër kufizimit shumë strikt të numrit të imigrantëve, siç e kërkonte iniciativa. Një kufizim i tillë do të vinte në pyetje raportet ne mes të Zvicrës dhe BE-së.
Iniciativa Ecopop kërkonte kufizimin ekstrem të numrit të të huajve në Zvicër me arsyetimin se mbipopullimi është i dëmshëm edhe për ambientin pasi që me të mbingarkohen rrugët, trafiku dhe në përgjithësi hapësira jetësore e banoreve të Zvicrës. Kjo iniciativë është hedhur poshtë me 74.1 për qind të votave dhe në asnjë kanton nuk ka pasur shumicë pro iniciativës. Më i bindshëm ka qenë refuzimi në kantonin Vaud, me 83% kundër ndërsa fitorja më pak bindëse është arritur në kantonin e Tesinës, me 63%.