Kriza politike në Maqedoni po vazhdon të thellohet edhe më shumë, sidomos pas bojkotit për zgjedhje të shumicës së partive politike. Për të dal nga kriza, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë parashikuar dy mundësi: zhbërjen e vendimit për falje nga presidentit Gjorgje Ivanov dhe krijimin e një qeverie të re teknike.
INA nga burime diplomatike, mëson se duke qenë se sonte skadon afati për dorëzimin e listave për zgjedhjet e 5 qershorit, dhe këtë nuk do ta bëjë asnjë parti politike, Parlamenti menjëherë duhet të informohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, për bojkotin nga shumica e partive politike maqedonase.
Në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni do të merr pjesë vetëm VMRO DPMNE-ja dhe dy parti minore të afërta me partinë e Nikolla Gruevskit. Kjo parti ka qenë e vetmja e cila ka dorëzuar listat me kandidatët për deputet brenda afatit ligjor, që është mbyllur të mërkurën në mesnatë.
Partitë tjera kryesore, Lidhja Social Demokrate e opozitës, si dhe dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH, ashtu edhe siç kishin deklaruar më parë, nuk kanë paraqitur kandidaturat e tyre, me çka edhe kanë verifikuar qëndrimin e tyre për bojkotin e zgjedhjeve, raporton REL.
Shkas për një vendim të tillë është mospërmbushja e kushteve, si ai për anulimin e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve që po hetoheshin nga prokuroria speciale për vepra të rënda penale, pastrimi i listës zgjedhore dhe kushte tjera që kërkohen edhe nga bashkësia ndërkombëtare për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike.
Ndryshe, nga VMRO-ja kanë thënë se me vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet më 5 qershor, respektojnë kushtetutën e vendit.
Dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH, thonë se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje varet nga krijimi i kushteve dhe pjesëmarrja në to e të gjitha partive politike. Për të ndihmuar gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza e thellë, sot në Shkup ka ardhur i dërguari gjerman, diplomati Johannes Haindl.