Qeveria e Kantonit të Aargau-t ka hedhur poshtë kërkesën për një ndalim të përgjithshëm të shamisë dhe simboleve të tjera fetare në shkollat fillore, duke theksuar se një masë e tillë do të përballej me pengesa serioze ligjore dhe kushtetuese, përcjell albinfo.ch.
Kërkesa për ndalim ishte ngritur nga deputetë të FDP, EDU, Mitte-Partei dhe SVP. Megjithatë, Këshilli Qeveritar ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë temën më gjerësisht, por pa mbështetur një ndalim të përgjithshëm.
Sipas qëndrimit të publikuar të premten, arsyet kryesore për refuzimin janë barrierat ligjore, dyshimet kushtetuese dhe praktika aktuale gjyqësore e Bundesgericht.
Qeveria thekson se, bazuar në praktikën ekzistuese, një ndalim kantonal i përgjithshëm i shamisë për nxënëset ka gjasa të larta të konsiderohet antikushtetues, pasi do të përbënte një ndërhyrje të rëndë në lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes.
Autoritetet kantonale nënvizojnë se çdo rregullim në këtë fushë duhet të jetë proporcional, i bazuar në raste konkrete dhe në përputhje me Kushtetutën federale dhe jurisprudencën e gjykatave zvicerane./Albinfo.ch