Qeveria Haradinaj ka një staf mjaft të gjerë. Në këtë qeveri janë 50 zëvendësministra dhe rreth 200 këshilltarë.
Haradinaj ka arsyetuar edhe numrin e madh të zëvendësministrave, të cilët janë 50 të emëruar në Qeverinë e tij.
“Është një proces në vazhdim, numri ka mbërri deri në 50 zëvendësministra, si dhe varësisht prej dinamikës, punës edhe temave. Ajo që po bëjmë është se p.sh. rasti i Ministrisë së Financave i ka tre zëvendësministra, por të tretë kanë detyra të deleguara, edhe mundemi me thënë që nuk është para e humbur e buxhetit të Kosovës, për shkak se dinamika është ndryshe nga e kaluara”, deklaroi Haradinaj, shkruan ‘koha.net’.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paralajmëruar rritjen e pagave nga viti i ardhshëm dhe skemës sociale, por jo dhe të pensioneve. Ai tha se rritja e pagave do të bëhet nga 1 janari dhe ajo do të jetë sipas rritjes ekonomike. Sipas tij, 20 për qind do të ketë rritje të skemës sociale, nga e cila do të përfitojnë 26 mijë familje, përcjell albinfo.ch.
Ndërkohë, gazeta ‘Zëri’ shkruan se janë rreth 200 këshilltarë në Qeverinë Haradinaj.
“Kryeministri Ramush Haradinaj u ka gjetur punë 16 këshilltarëve në kabinetin e tij, përderisa njëri nga ministrat e tij në kabinet tashmë i ka “rehatuar” 7 këshilltarë politikë dhe dy asistente ekzekutive. Nga 7 deri në 10 këshilltarë pritet t’i kenë edhe 20 ministrat tjerë të kësaj Qeverie, përderisa paga e një këshilltari të ministrit sillet në 600 euro derisa këshilltarët e kryeministrit marrin pagë mujore prej rreth 1500 eurosh”, shkruan “Zëri”.