Në të ardhmen, klientët në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së do të duhet të paguajnë në rubla për dërgesat e gazit nga Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëzuar qeverinë e vendit të tij të ndalojë pranimin e pagesave në dollarë ose euro, transmeton albinfo.ch.
Dërgesat do të vazhdojnë të jenë plotësisht të garantuara, siguroi shefi i Kremlinit në një video-konferencë të qeverisë që u transmetua në televizionin shtetëror. Pagesa për mallrat ruse në valutë të huaj ka humbur kuptimin e saj.
Nga ky veprim i Rusisë janë prekur “shtetet jomiqësore” që Rusia i ka futur në listën e zezë, shkruan srf.ch. Këtu përfshihen Zvicra dhe të gjitha vendet e BE-së, por edhe SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe.
Njoftimi ka forcuar menjëherë monedhën ruse, e cila është nën presion masiv.
Banka qendrore dhe qeveria ruse kanë tani një javë kohë për të përcaktuar modalitetet për kalimin nga pagesat e këmbimit valutor në pagesat në rubla, tha Putin, trannsmeton albinfo.ch.
Vetë Perëndimi ka zhvlerësuar monedhat e tij duke ngrirë asetet ruse jashtë vendit, ka thënë Putin.