Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se po përpiqen që të zgjasë konfliktin në Ukrainë dhe të nxisë konflikte në pjesë të tjera të botës.
Komentet Putin i bëri në Konferencën e Sigurisë në Moskë.
“Sikurse e dimë, Amerika së fundmi vullnetarisht i ka hedhur benzinë zjarrit dhe ka tronditur situatën në Azinë e Paqësorit”, tha Putin, përcjell Albinfo.ch.
Fjalimi i tij vjen pas një vizite të një delegacioni amerikan ditën e hënë në Parlamentin e Tajvanit, ku shprehën mbështetje për vetëqeverisjen e ishullit.
Si përgjigje, Putin akuzoi Perëndimin se po krijon aleanca politiko-ushtarake agresive.
“Gjithashtu po shohim se Perëndimi po përpiqet të zgjerojë sistemin e tij në rajonin e Azisë së Paqësorit, ngjashëm me NATO-n në Evropë. Për këtë qëllim po formohen aleanca agresive si AUKUS dhe të tjera”, u shpreh presidenti rus.
Ndërkohë, Kina ka mbajtur stërvitje të reja ushtarake, duke përsëritur retorikën e saj se është gati për luftë për Tajvanin, ishulli i vetëqeverisur që Kina e konsideron pjesë të saj./Albinfo.ch