Tashmë është zyrtare. Pas tre vjetësh radhazi në krye të listes vjetore të përpiluar nga Economist Intelligence Unit (EIU), kryeqyteti austriak është lënë pas nga Kopenhaga. Kryeqyteti i Danimarkës ka zënë vendin e parë në renditjen e qyteteve më të mirë për të jetuar në botë për vitin 2025, transmeton albinfo.at
ElU, renditi 173 qytete në mbarë botën duke u bazuar në disa faktorë, përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin, stabilitetin, infrastrukturën dhe mjedisin. Kopenhaga triumfoi pasi mori vlerësime “të përkryera” për stabilitetin, arsimin dhe infrastrukturën, ndërsa Vjena u rendit e dyta, për të vijuar me vendin e tretë, Cyrihun. Melburni i Australisë u rendit i katërti, ndërkohë Gjeneva e Zvicrës, e pesta në listë.
Ku humbi pikë Vjena?
Edhe pse Vjena ruajti rezultate të larta në shumicën e kategorive, ajo pësoi një rënie të ndjeshme në vlerësimin për stabilitetin, faktor ky që ndikoi drejtpërdrejt në humbjen e vendit të parë. Në të kundërt, Kopenhaga mori vlerësime të larta dhe të qëndrueshme në të gjitha kategoritë.
Sipas raportit, rënia e “fortë dhe e papritur” në pikët e Vjenës për stabilitetin i atribuohet një kërcënimi me bombë të një 19 vjeçari, i arrestuar si i dyshuar, si simpatizant i IS-së gjatë një koncerti të Taylor Swift verën e kaluar, që çoi në anulimin e aktivitetit. Po ashtu, plani për të sulmuar me bombë në stacionin kryesor të Vjenës(Hauptbahnhof) i cili ndodhi në fillim të vitit 2025, ishin arsyet kryesore për rënie të pikëve që Vjena mori në fushën e stabilitetit, shkruajnë mediat austriake, transmeton albinfo.at.
“Indeksi Global i Jetëshmërisë 2025” i përpiluar nga departamenti i kërkimit dhe analizës së Grupit Ekonomist të quajtur EIU (Njësia e Inteligjencës Ekonomiste) përfshinë 173 qytete në të gjithë botën dhe vlerësohen bazuar në 30 tregues në pesë kategori.