Paraditen e të martës, rreth orës 11, në stacionin Gampel Steg të Kantonit të Valisit ka ndodhur një aksident me pasoja fatale për një person, shkruan srf.ch.
Një burrë ende i paidentifikuar ka provuar të kalojë binarët në stacionin hekurudhor në Gampel-Steg, transmeton albinfo.ch. Në ato momente aty kishte ardhur një tren i shpejtë dhe e ka goditur personin në fjalë, duke i shkaktuar vdekjen në vendin e ngjarjes.
Përkundër frenimit të menjëhershëm emergjent të trenit të shpejtë, goditja ishte aq e fortë sa që ishte i pamundur shpëtimi i personit të goditur.
Policia Kantonale e Valisit i ka drejtuar një lutje popullatës për informacione lidhur me rastin, përcjell albinfo.ch. Kush ka qenë në orën 11 të ditës së martë në mes të peronit 2 dhe 3 të stacionit të përmendur dhe e ka parë rrjedhën e ngjarjes, duhet të paraqitet në qendrën policore për të dhënë informata.