Një grup fashistësh nga Gjeneva me emrin “Geneve non conforme” (GNC) ka shpërndarë një fletëpalosje në të cilën shihet një burrë-kukull, i shtrirë në shpinë, me kapelën e hebrenjve në kokë dhe me flamurin izraelit mbi trup. Në ballë ka të ngulur një shigjetë nga harku i tipit të Vilhelm Telit.
Mbi gjithë këtë, mund të lexohet slogani: “Shpëtoje Zvicrën. Qëllo në cak!”. Grupi i përmendur, me këtë fletëpalosje thërret për një ndejë me grill që do të mbahet më 1 gusht, duke provokuar kështu rëndë hebrenjtë dhe Izraelin.
GNC është e njohur edhe për provokime të tjera kundër politikës së Izraelit. Ky grupim ka dalë si rezultat i lëvizjes së shuar të djathtë Unité Populaire.
Vetëm një javë ka kaluar nga thirrjet për bojkotim të produkteve izraelite në Zvicër.
Organizatat e hebrenjve në Zvicër janë shprehur të tronditur nga fletëpalosja. “Kjo është thirrje për t`i vrarë hebrenjtë” ka thënë Johanne Gurfinkel nga Qendra Koordinuese e Zvicrës perëndimore kundër antisemitizmit (CICAD).
E përballur me kritika, GNC e ka zbutur përmbajtjen e fletëpalosjes së saj. Ata thonë se nuk thërrasin kundër hebrenjve. Kukulla në fletëpalosje është personifikim i shtetit të Izraelit, shkatërrimin e të cilit e kërkon GNC.
Por për kryetaren e një asocialioni izraelit në Zvicër, kjo është vetëm një farsë. “Shigjeta në ballë nuk lë fare vend për dyshim”, ka thënë ajo.