Së paku dhjetë mijë veta kanë marrë pjesë në demonstratën “Për një Zvicër të hapur”, të organizuar nga dhjetëra organizata e parti, të pakënaqura me rezultatin e iniciativës “kundër migracionit masiv”. Siç dihet, iniciativa në fjalë e cila i ka polarizuar shumë zviceranët lidhur me qëndrimin ndaj BE-së, është votuar më 9 shkurt, me rezultat të ngushtë, 50.03%.
E thirrur në emrin e pjesës tjetër, asaj që përbën 49.07 për qind të zviceranëve, demonstrata ka mbledhur një numër të madh të pakënaqurish në sheshin Bundesplatz të Bernës.
Sipas asaj që u tha në fjalimet e mbajtura sot në demonstratë, iniciativa e përmendur përkeqëson, veç tjerash edhe situatën e të huajve që ende nuk kanë pasaportë zvicerane.
Përveç për iniciativën e 9 shkurtit është protestuar edhe për atë që do të mbahet në fund të vitit, iniciativën e organizatës Ecopop, e cila synon kufizimin e të huajve në përpjesëtimin prej 0.2% të popullatës vendore.
Nesër albinfo.ch sjell raportin më të gjerë nga manifestimi, ku kanë marrë pjesë edhe organizata që tubojnë shqiptarët.
(albinfo.ch&sda)