Para Gjykatës Themelore në Shkup mbrëmë kanë protestuar disa qytetarë, të cilët kanë kërkuar drejtësi për ish-kryeministrin dhe ish-kreun e VMRO- DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Sipas organizatorëve të protestës, Prokuroria po punon vazhdimisht në shkatërrimin e elitës politike të VMRO-së. Ata kërkuan nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, që të ndalojë, siç thanë, përndjekjen politike të Nikolla Gruevskit, përcjell albinfo.ch.
“Prokuroria Speciale Publike ka vetëm një qëllim, atë që të punojë në shkatërrimin e elitës politike të VMRO-DPMNE-së, në këtë elitë marrin pjesë njerëzit nga qeveria e kaluar, e cila ka qeverisur më shumë se 10 vjet. E ftojmë presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili është i vetmi politikan në Republikën e Maqedonisë që ka kredibilitetin e qytetarëve, të marrë vendim me të cilin do ta ndalojë këtë përndjekje politike që po zhvillohet në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Aleksandar Trajkovski.