Në përpjekje për të gjetur një kompromis në mes të kërkesës strikte të SVP-së për përparësinë që sa i përket punësimitz u duhet dhënë vendësve dhe obligimeve që Zvicrës i dalin nga marrëveshja me BE për lirinë e lëvizjes, komisioni për politikë shtetërore ka prezantuar sot një formë më të butë ose «light» të përparësisë së vendësve në krahasim me të huajt.
Kryetari i këtij komisioni, Heinz Brand nga SVP ka folur para mediave për arritjen e një kompromisi në mes të këtyre dy tendencave, njoftojnë mediat zvicerane.
Sipas komisionit, Këshilli Federal në një hap të parë do të parashohë masat e nevojshme për shterrimin e fuqisë punëtore të vendit, transmeton albinfo.ch. Në një hap të dytë pastaj do të vendosej një detyrim ligjor për njoftimin me numrin e vendeve të lira të punës, në momentin kur migracioni të ketë tejkaluar një prag të caktuar.
Në rast se këto masa nuk do të sjellin rezultatin e pritur, Këshilli Federal mund të marrë «Masa përkatëse ndihmëse». Ato, patjetër duhet t`i prezantohen komisionit të përzier. Komisioni duhet t`i miratojë ato masa në rast se nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.
Në këtë mënyrë, komisioni synon të mos i rrezikojë marrëveshjet bilaterale me BE-në.
Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës do ta shqyrtojë këtë çështje në javën e dytë të sesionit të saj vjeshtor.
Ndërkaq, iniciativa kundër migrimit masiv, e votuar nga populli më 9 shkurt 2014 kërkonte që Zvicra të vendoste një sistem kontingjentesh për të punësuarit nga jashtë dhe për dhënie të qartë të përparësisë punëtorëve vendës, përcjell albinfo.ch. Afati për zbatimin e iniciativës ishte 3 vjet, që do të thotë se ajo duhet të fillojë të veprojë në shkurt të vitit 2017