Banka TEB në Prishtinë vlerëson maksimalisht ndërmarrësit, në veçanti dhe ndërmarrësinë si koncept pasi që i percepton si krijues të vlerave të reja, të cilat kanë efekte të shumëfishta pozitive për komunitetin.
Duke u bazuar në këtë këndvështrim, banka sipas një njoftimi për media synon të promovojë aktivitetin e ndërmarrësisë si rrugë atraktive për zhvillimin e karrierës dhe të inkurajojë individët, të cilët kanë potencial të angazhohen në këtë drejtim.
Në këtë mënyrë, para 9 muajve banka hyri në bashkëpunim me ”Incubation Centre Kosova – ICK” dhe filloi mentorimin e 7 ndërmarrësve inovativë me qëllim që t’i zhvillojë dhe t’i adaptojë biznes planet e tyre sipas nevojave të investuesve. Iniciativa e njëjtë u aplikua edhe në qytetin e Gjakovës, ku në bashkëpunim me Gjakova Innovation Centre u trajnuan dhe u inkorporuan në program 5 ndërmarrës shtesë.
Si pjesë e kësaj programe zhvillimore, banka ka punuar intenzivisht në të dy pjesët e eko-sistemit: anën e kërkesës dhe anën e ofertës. Në anën e kërkesës banka është angazhuar për stimulimin e ndërmarrësisë duke ofruar mentorim të kualitetit të lartë, kurse në anën e ofertës ka promovuar programin tek investuesit potencialë në Kosovë dhe në qendra të rëndësishme të diasporas, si ajo në Zvicër dhe në Gjermani. Kjo qasje sinjalizon intencën e bankës për themelimin e një shoqërie të investuesve, e cila do të shërbejë si gurthemel i zhvillimit të sistemit të ndërmarrësisë.
Të gjitha këto zhvillime do të arrijnë kulminacionin në “Pitching” eventin i cili do të mbahet më 21 tetor, në orën 11.00, në hotel “Emerald”.
Në këtë event ndërmarrësit inovativë do të prezentojnë projektet e tyre para një paneli të investuesve si dhe para një audience të cilët kanë interes në fushën e zhvillimit ekonomik.
Nëpërmjet këtij eventi, banka në Prishtinë synon të promovojë ”Programin e Ndërmarrësisë” publikut të gjerë si dhe të ngrisë vetëdijen për mundësitë të cilat i sjell ndërmarrësia.