Familja e aktivisitit të Vetvëendosjes, Astrit Dehari, që vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren tre vjet më parë, do të marrë nesër raportin që javë më parë ka ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se Prokuroria do t’ua dorëzojë raportin të enjten në orën 10:00.
“Nesër më 24.10.2019 në orën 10.00h në Prokurorinë Themelore në Prizren do marrim raportin e Institutit Zviceran të Mjekësis Ligjore. Unë do të jem aty së bashku me Prindërit e Astrit Deharit”, ka shkruar Gashi, transmeton GE, përcjell albinfo.ch.
Familja Dehari janë ankuar së fundmi, sepse prokuroria nuk pranoi t’ia dorëzojë raportin e ardhur nga Zvicra pa e përkthyer në shqip.
Prindërit e Astrit Deharit kishin kërkuar që një institut i mjekësisë ligjore në shtetin e Zvicrës të nxjerrë raport mbi rrethanat e vdekjes së djalit të tyre, pasi nuk u besonin institucioneve në Kosovë.
Nga raportet e mjekësisë ligjore në Kosovë është thënë se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje, ndërsa familjarët, avokati i tij dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk i besojnë kësaj.